Shërbimet speciale polake kanë gjetur dhe çmontuar pajisje përgjimi në një sallë ku këshilli i ministrave do të mblidhej të martën, tha zëdhënësi i koordinatorit të shërbimeve speciale. Polonia, një qendër për furnizimet ushtarake perëndimore në Ukrainë ndërsa Kievi lufton pushtimin rus, është në gatishmëri të shtuar për çdo shenjë të aktivitetit spiunazhi. “Shërbimi i Mbrojtjes Shtetërore, në bashkëpunim me Agjencinë e Sigurisë së Brendshme, zbuloi dhe çmontoi pajisje që mund të përdoreshin për përgjim në dhomën ku do të mbahet mbledhja e Këshillit të Ministrave sot në Katovicë”, shkruante Jacek Dobrzynski në platformën X.