Ambasada Shqiptare në Londër ka depozituar një ankesë për median “Sky News”, lidhur me një reportazh të titulluar: “Brenda operacionit shqiptar të kontrabandës së njerëzve që po ndihmon në nxitjen e tregtisë së drogës në Mbretërinë e Bashkuar”, transmetuar më 6 gusht të këtij viti. Në letrën drejtuar Ofcom, autoritetit rregullator britanik të medias, ambasadori Uran Ferizi ngre shqetësime serioze për pasaktësi, mungesë konteksti dhe përgjithësime të pajustifikuara, të cilat e lidhin identitetin shqiptar me kriminalitetin dhe, në vend që të informojnë me përgjegjësi, prezantojnë dhe përforcojnë stereotipe etnike ndaj shqiptarëve.