Partia Demokratike ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të projektit TID Durrës dhe ndalimin e procedurave të prishjes dhe shpronësimit të pronave të banorëve. Në një deklaratë, Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun në selinë blu, Viola Kapidani tha se më 1 shtator është dorëzuar pranë Bashkisë Durrës një dokument prej 15 faqesh, të firmosur nga banorët e zonës ku kërkohet zyrtarisht pezullimi i projektit. PD kërkon gjithashtu që bashkia të bëjë publik statusin juridik të projektit dhe të sqarojë se çfarë efekti kanë ndryshimet e fundit mbi pronat e përfshira. Sipas demokratëve, fakti që vet Bashkia Durrës ka deklaruar se projekti është në proces rishikimi, e bën edhe më të domosdoshme pezullimin e procedurave që mund të sjellin pasoja të pakthyeshme, duke theksuar se mbrojtja e pronës nuk duhet të shihet si kundërshtim ndaj zhvillimit të Durrësit.