Është gjetur këtë të hënë trupi i pajetë i 39-vjeçarit Erkin Lika, i cili humbi jetën pasi ra në ujërat e lumit Mat gjatë një aktiviteti me litar në zonën e Urës së Vashës, në Klos. Ngjarja tragjike ndodhi pasditen e së shtunës, kur i riu dyshohet se përfundoi në një gropë thithëse të lumit, duke u marrë nga rrjedha e ujit. 39-vjeçari ishte pjesë e grupit të kërkim shpëtimit malor dhe në momentin e aksidentit ka qenë duke u stërvitur bashkë me grupin, duke bërë ngjitje me litar. Lika ka rënë në humnerë dhe ka përfunduar në ujërat e lumit, por terreni i thepisur ka vështirësuar gjetjen e trupit. Pas shumë orësh kërkimi intensiv, polumbarët arritën të lokalizonin dhe të nxirrnin trupin e pajetë të 39-vjeçarit, duke i dhënë fund operacionit të kërkimit, ndërkohë që autoritetet vijojnë procedurat për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.