Pas gati 80 vitesh mungesë, tigrat po rikthehen në natyrën e egër të Kazakistanit. Dy ekzemplarë, Amuri dhe Umit, janë vendosur në Rezervatin Natyror Ile-Balkhash, në kuadër të një projekti për rikthimin e kësaj specieje në habitatin e saj historik. Tigresha Umit, e ardhur nga Rusia, u lëshua në natyrë më 31 korrik dhe brenda pak ditësh arriti të gjuante një derr të egër dhe një ujk, duke treguar përshtatje me mjedisin e ri. Ndërsa më 2 nëntor, autoritetet njoftuan vendosjen edhe të tigrit Amur në të njëjtin rezervat. Megjithatë, rikthimi i grabitqarëve nuk është pritur mirë nga të gjithë. Banorët e fshatrave përreth shprehin shqetësime se tigrat mund të sulmojnë bagëtitë, pasi blegtoria është burimi kryesor i jetesës për shumë familje.