Kriza e epidemisë së Covid-19 ka nxitur një rritje të qarkullimit të parasë jashtë bankave. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se sasia e parasë jashtë sistemit bankar arriti vlerën rekord 2.6 miliardë euro. Krahasuar me një vit më parë, paraja jashtë bankave është rritur ndjeshëm. Pjesa më e madhe e rritjes ka ardhur pas muajit mars, kur Shqipëria u prek nga epidemia e Covid-19. Në muajt e fundit, kjo situatë mund të jetë nxitur nga pasiguria e krijuar prej krizës së Covid-19, që i ka shtyrë individët të mbajnë më shumë para jashtë sistemit. Në muajt e verës, shtimi i parasë që qarkullon jashtë bankave është gjithashtu një tendencë sezonale, e lidhur me tërheqjen e parave për shpenzimet e pushimeve. Këtë vit, shumica e shqiptarëve i kanë kaluar pushimet në Shqipëri për shkak të kufizimeve të lëvizjes, çka mund të ketë sjellë tërheqje më të mëdha të parasë në monedhë vendase nga sistemi bankar.