Paqja Fiskale është pritur me kritika të forta nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Premtimi elektoral i Edi Ramës, i cili u miratua me shumicë votash në parlament shihet si rrezik nga FMN-ja jo vetëm në drejtim të minimit të progresit në administrimin dhe pajtueshmërinë tatimore, por edhe në drejtim të pastrimit të parave. “Marrëveshja e Paqes Fiskale rrezikon të minojë pajtueshmërinë tatimore, duke kërcënuar progresin e Shqipërisë drejt një sistemi modern dhe të barabartë tatimor. Gjithashtu ngre shqetësime në lidhje me identifikimin e të ardhurave të paligjshme, pasi vëllime potencialisht të konsiderueshme të fondeve ose aseteve të pazbuluara më parë zhvendosen në sistemin financiar formal.” – thuhet në raportin e FMN-së për Shqipërinë.