Gjykata e Sarandës pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi masën e sigurisë “Arrest në burg” ndaj 22-vjeçarit francez për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”. Ai akuzohet për mashtrim kompjuterik dhe përvetësim të të dhënave bankare të qytetarëve shqiptarë përmes mesazheve mashtruese. Hetimet kanë zbuluar se i dyshuari, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka përvetësuar të dhëna bankare përmes përdorimit të kartave SIM të regjistruara me identitete të tjera. Raportohet se skema realizohej përmes dërgimit masiv të SMS-ve mashtruese me përmbajtje që imitonte Postën Shqiptare. Përmes linkut të dërguar, viktimat dyshohet se jepnin të dhënat bankare, të cilat më pas përdoreshin nga autorët.