Greqia dhe Turqia kanë hapur një tjetër front lufte, por fatmirësisht beteja kësaj radhe nuk zhvillohet me luftanije, tanke, helikopterë apo pushkë, por me tenxhere, garuzhde e pjata. Kërkesa e një restoranti të njohur në Selanik për gatimin e paçes për ta regjistruar në UNESCO si gatim tradicional unik grek me pretendimin se receta e saj buron që nga koha e Odisesë së Homerit ka shkaktuar revoltë në Turqi. Beteja është përqëndruar te pretendimet se kush e ka shpikur recetën e asaj që njihet gjerësisht në Turqi, Greqi, por edhe në Shqipëri dhe vende të tjera të Ballkanit si pjata çudibërëse pas një nate të tepruar me alkool.