Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka refuzuar kërkesat e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky për lejimin e transferimeve të armëve në Ukrainë dhe sanksione më të ashpra kundër Rusisë, duke thënë se kjo do të ishte “kundër interesave të Hungarisë”. Zëdhënësi i qeverisë hungareze Zoltan Kovacs tha në një deklaratë se Orban refuzoi kërkesat e Zelenskyt në Këshillin Evropian sepse Hungaria dëshiron të qëndrojë jashtë kësaj lufte. Orban ka thënë se pakica etnike-hungareze në perëndim të Ukrainës do të kërcënohej nëse Hungaria dërgonte armë në Kiev.