Kryeministri britanik Keir Starmer tha të premten se diskutoi për aftësitë ushtarake dhe logjistikën e lëvizjes së anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit kur foli me Presidentin e SHBA-së Donald Trump një ditë më parë. "Ne kemi bashkuar një koalicion vendesh duke punuar në një plan politik dhe diplomatik, por gjithashtu duke shqyrtuar aftësitë ushtarake dhe logjistikën e lëvizjes së anijeve në Ngushticë", tha Starmer gjatë vizitës së tij në Gjirin Persik. "Ky ishte fokusi i diskutimit me presidentin amerikan, një reflektim mbi atë që kam diskutuar edhe këtu, por edhe që përqendrohet në një plan praktik në lidhje me lundrimin nëpër Ngushticë." Starmer nuk dha më shumë detaje për bisedën por presidenti amerikan, nuk e ka fshehur frustrimin e tij për ndihmën e munguar të aleatëve evropianë. I pyetur nëse ai diskutoi me presidentin amerikan për kërcënimet e SHBA-së për tërheqje nga NATO, Starmer nuk u përgjigj drejtpërdrejt, por tha se aleanca ishte në interes të SHBA-së dhe Evropës. “NATO është një aleancë mbrojtëse e cila, për dekada të tëra, na ka mbajtur shumë më të sigurt nga sa do të kishim qenë nëse ajo nuk do të kishte ekzistuar”, tha ai.