Ndalimi i shamisë islame për vajzat nën moshën 14 vjeç në Austri po përballet me provën e parë, pasi shkollat u rihapën të martën në Vjenë dhe disa zona të tjera të vendit. Ligji, i miratuar nga parlamenti në dhjetor me mbështetjen e Partisë së Lirisë së ekstremit të djathtë, synon të ndalojë mbajtjen e shamisë islame në shkolla për vajzat nën 14 vjeç. Qeveria e ka justifikuar masën me argumentin se ajo do të mbrojë lirinë dhe të drejtat e vajzave. Bashkësia Fetare Islame në Austri, organizata zyrtare që përfaqëson myslimanët në vend, e ka cilësuar ndalimin diskriminues dhe në kundërshtim me të drejtat themelore. Ajo ka paralajmëruar se do ta kundërshtojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese.