Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot gjatë bashkëbisedimit online me qytetarët se protestat kundër qeverisë po vijojnë me intensitet, duke i cilësuar ato si shprehje të pakënaqësisë së thellë ndaj qeverisjes së Edi Ramës. Ai u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve nga e gjithë Shqipëria t’i bashkohen protestës së planifikuar, duke e cilësuar atë si një ‘uragan lirie’. Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se, sipas tij, qeveria nuk ka arritur të frenojë mobilizimin qytetar, pavarësisht presioneve dhe kushteve të vështira atmosferike. ‘Narkodiktatori është tmerruar. As temperaturat më të larta, as terroret policeske më të egra, as kërcënimet e pafundme nuk mposhtën dot qëndresën e qytetarëve shqiptarë kundër Edi Ramës,’ deklaroi kreu i PD-së. Sipas Berishës, protesta është kthyer në një lëvizje që po sfidon qeverinë, ndërsa akuzoi kryeministrin se në daljet e tij publike shmang problemet reale të qytetarëve. ‘Çdo orë, çdo ditë që kalon fakton se Edi Rama nuk ka të ardhme. Në të gjitha fjalimet e tij nuk ekziston qytetari, nuk ekziston Shqipëria dhe nuk ekzistojnë problemet madhore të këtij vendi,’ tha ai.