SpaceX i Elon Musk ka aplikuar për të lëshuar një milion satelitë në orbitën e Tokës për të furnizuar me energji Inteligjencën Artificiale. Aplikimi pretendon se "qendrat orbitale të të dhënave" janë mënyra më e lirë dhe më efikase për sa i takon energjisë, për të përmbushur kërkesën në rritje për fuqinë kompjuterike të IA-së. Tradicionalisht, qendra të tilla janë depo të mëdha plot me kompjuterë të fuqishëm që përpunojnë dhe ruajnë të dhëna. Kompania hapësinore e Musk pretendon se nevojat e përpunimit për shkak të përdorimit në rritje të IA-së tashmë po i tejkalojnë "aftësitë tokësore". Kjo do të rriste në mënyrë drastike numrin e satelitëve të SpaceX në orbitë. Rrjeti ekzistues i saj, Starlink, prej gati 10,000 satelitësh është akuzuar tashmë për krijimin e një mbingarkese në hapësirë, gjë që Musk e mohon. Rrjeti i ri mund të përfshijë deri në një milion satelitë me energji diellore, sipas aplikimit të paraqitur të premten në Komisionin Federal të Komunikimeve të SHBA-së, i cili nuk specifikon një afat kohor për planin.