Ekuacioni me shumë të panjohura i Covid-19 është larg zgjidhjes. Kur u duk se po i vinte fundi, u shtuan shifrat, duke e komplikuar më tej atë. Pas një karantine të vendosur me shpejtësi dhe me rreptësi në vend, infeksioni që ka bërë lëmsh mbarë botën, u duk se u vu në kontroll. Shqipëria arriti të kalonte fazën e parë të pandemisë, me një numër shumë të ulët vdekjesh në raport me popullsinë. Por, hapja e qershorit, po aq e shpejtë sa mbyllja, tregoi se situata nuk ishte aq e lehtë. Numri i të infektuarve u rrit me shpejtësi dhe fatkeqësisht, edhe jetët e humbura po ashtu, teksa virusi tinëzar, i kombinuar me virozat e stinës, tregoi se mund të ishte sërish i rrezikshëm. Përvoja tregoi se do të duhet të kalojmë të paktën dhe një cikël tjetër 10-javor, që e shtyn pandeminë me frekuencë të lartë deri nga mesi i gushtit.