Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka paralajmëruar se ngërçi i zgjatur politik dhe mungesa e institucioneve të reja po dëmtojnë pozitën e Kosovës në raport me aleatët ndërkombëtarë. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai deklaroi se pezullimi i Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara është një nga pasojat konkrete të situatës politike në vend. Sipas tij, Prishtina duhet të ecë më shpejt me çështje kyçe, si energjia dhe përmbushja e obligimeve ndaj komunitetit serb, nëse synon të forcojë marrëdhëniet me administratën e presidentit amerikan Donald Trump.