‘Nga 1 shtatori, inspektimi nga ana e Inspektoratit Qendror të Punës do të kalojë në mënyrë plotësisht digjitale dhe njëkohësisht do të fillojë edhe përdorimi i teknologjisë së dronëve”, ka njoftuar kështu ministri në detyrë për Punë, Andin Hoti. Sipas tij, mbikëqyrja me dronë do të mundësojë inspektimin e kantiereve dhe vendeve me rrezikshmëri të lartë në punë, llogaridhënie më të madhe dhe monitorim më efikas të punës në terren. 12 persona kanë humbur jetën në vendin e punës brenda shtatë muajve të këtij viti, përfshirë edhe rastin e së martës në Prishtinë, ku një 26-vjeçar humbi jetën pas plagëve të marra në vendin e punës pas rrëzimit të një vinçi.