Një 20-vjeçar ka përfunduar në prangat e Policisë së Tiranës, pasi dyshohet se kishte porositur një sasi të konsiderueshme Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC, e trafikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Operacioni i koduar ‘Delivery’ u finalizua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me filialin “Qendra Tranzite” të Postës Shqiptare. Në kuadër të hetimit, policia identifikoi si porositës 20-vjeçarin, banues në Bathore. Në pako, e cila ishte sekuestruar nga autoritetet, u gjetën 8 paketime me Cannabis, me peshë totale 4 kilogramë e 641 gramë dhe me përqindje të lartë THC.