Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu doli këtë të martë në një konferencë me gazetarët, ku foli për problematikat në sistemin e burgjeve, amnistinë penale dhe stokun e dosjeve në gjyqësor. Ministri tha se për çështjen e mbipopullimit në burgje pritet të ndihmojë si vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë për paraburgimet, ashtu edhe amnistia penale. Nga kjo e fundit, tha ai, përjashtohen personat e dënuar, apo nën akuzë nga organet e posaçme të drejtësisë. Gogu foli edhe për hartën gjyqësore, ku tha se ka nevojë të rishikohet dhe brenda 2028 të rritet numri i gjykatave të apelit nëpër rrethe.