Duke nisur nga 1 shtatori, operatorët e transportit publik në vend kanë paralajmëruar reduktim të flotës së autobusëve me rreth 20-30%, si pasojë e rritjes së çmimit të karburantit. Përmes një letre drejtuar Kryeministrisë, Bashkisë së Tiranës dhe ministrive përgjegjëse, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban thonë se gjendja financiare e operatorëve është rënduar ndjeshëm, kryesisht për shkak të kostove të karburantit dhe mosrealizimit të kompensimeve të kërkuara për karburant. Sipas tyre, mungesa e mbështetjes financiare e bën të pamundur përballimin e operimit me kapacitet të plotë.