Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë masat për të garantuar fillimin e rregullt dhe të sigurt të procesit mësimor. Përmes një urdhri, Bashkia ngarkon institucionet në varësi të bashkëpunojnë dhe korrdinojnë veprimet me institucionet arsimore. Një nga pikat kryesore të urdhrit lidhet me gjendjen dhe mirëmbajtjen e shkollave. Strukturat përgjegjëse duhet të verifikojnë gjendjen fizike të godinave si dhe funksionimin e sistemeve të ujësjellësit dhe kanalizimeve. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar dhe pastrimit, ku kërkohet furnizimi me materiale higjieno-sanitare dhe mirëmbajtjen periodike të klasave, korridoreve, ambienteve sanitare dhe oborreve.