Arrestohet në Abu Dhabi Nexhmedin Danaj, akuzohet për trafik droge dhe pastrim parash Policia e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe, ka finalizuar operacionin ndërkombëtar të koduar “The Ëanted”. Si rezultat është arrestuar me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, Nexhmedin Danaj, 57 vjeç. Danaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i kishte caktuar në prill të vitit 2026 masën e sigurisë “arrest në burg”. Ai akuzohet për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Sipas hetimeve, 57-vjeçari dyshohet se, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, ka bashkëfinancuar, mundësuar dhe koordinuar trafikimin e lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Gjithashtu, ai akuzohet për përdorimin e metodave të sofistikuara financiare, përfshirë transferta digjitale, për kryerjen e pagesave të konsiderueshme në disa shtete për blerjen e lëndëve narkotike. Autoritetet shqiptare po bashkëpunojnë me homologët në Emiratet e Bashkuara për përfundimin e procedurave dhe ekstradimin e Nexhmedin Danajt drejt Shqipërisë.