Autoritetet ukrainase po përpiqen të rikthejnë furnizimin me energji elektrike për qindra mijëra banorë në lindje të vendit, pas sulmeve ajrore ruse. Sulmet ndaj rrjetit energjetik në rajonin Dnipropetrovsk, në lindje të Ukrainës, lanë rreth 600 mijë njerëz pa energji elektrike. Ekipet e emergjencës po punonin mëngjesin e të hënës për të rikthyer furnizimin. Kreu i administratës ushtarake të rajonit, Oleksandr Hanzha, tha se spitalet ishin detyruar të përdornin gjeneratorë, ndërsa transporti publik elektrik ishte ndalur në Dnipro, kryeqytetin e rajonit. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ndërprerje të energjisë elektrike ka në të gjithë vendin. Presidenti amerikan, Donald Trump, la të kuptohet, ndërkohë, se Ukrainës mund t’i duhet të heqë dorë nga një pjesë e territorit të saj për të arritur një marrëveshje paqeje me Rusinë, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara. “Mendoj se do ta arrijmë marrëveshjen e paqes. Besoj se kjo do të ndodhë dhe se, në fund, kufijtë e Ukrainës do të jenë paksa ndryshe”, tha Trump në një intervistë për emisionin 60 Minutes të televizionit amerikan, CBS. Ai nuk dha hollësi se për çfarë ndryshimesh territoriale mund të bëhet fjalë. Ukraina ka këmbëngulur se nuk do të pranojë t’ia lëshojë përgjithmonë Rusisë asnjë pjesë të territorit të saj. Megjithatë, ka shprehur gatishmëri për një armëpushim që do t’i ndalte luftimet, edhe nëse trupat ruse vazhdojnë të mbajnë përkohësisht nën kontroll territoret ukrainase që i kanë pushtuar. “Natyrisht, Rusia kërkon që ne të heqim dorë nga territoret tona. Ne nuk duam të heqim dorë nga asgjë. Pikërisht për këtë po luftojmë”, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Rusia, nga ana tjetër, i ka kundërshtuar thirrjet për armëpushim. Moska këmbëngul se luftimet mund të përfundojnë vetëm përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse paqeje, që do të përmbushte edhe kërkesat e saj territoriale. Ato përfshijnë edhe marrjen e kontrollit mbi disa pjesë të Ukrainës që forcat ruse nuk kanë arritur ende t’i pushtojnë.