Një 10 vjeçar me origjinë shqiptare ka ndërruar jetë tragjikisht në Itali. Ngjarja e rëndë u regjistrua në Foggia, teksa mediat italiane raportojnë se i mituri, Alesio Begaj, po luante me shokët e tij, teksa goditi me kokë murin e një shatërvani në sheshin e qytetit. Fillimisht, ai humbi ndjenjat dhe pësoi arrest kardiak. Pavarësisht ndërhyrjes së bluzave të bardha, të cilët u përpoqën për 45 minuta që ta shpëtonin vogëlushin, goditja në kokë rezultoi fatale. Tragjedia ka tronditur komunitetin në zonën ku ai jetonte, teksa autoritetet lokale e kanë shpallur si ditë zie, duke mbajtur edhe një minutë heshtje në mesditë. Po ashtu, Kryetari i bashkisë urdhëroi që flamuri të ulet në gjysmështizë në selinë e bashkisë dhe ndërtesa të tjera publike si shenjë zie.