Ndahet nga jeta në moshën 80-vjeçare mjeku personal i ish-diktatorit Enver Hoxha, Isuf Kalo. Mësohet se Kalo vuante nga një sëmundje e rëndë e cila i ka marrë jetën. I specializuar në disa universitete evropiane për diabetologji dhe endokrinologji Kalo ka linduar në vitin 1942 në Tepelenë dhe studimet e larta i kreu në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë në vitin 1964. Doktor Kalo është një nga pionierët e diabetologjisë dhe endokrinologjisë në vendin tonë, teksa për disa vite ka mbajtur pozicionin e shefit të endokrinologjisë dhe sëmundjeve metabolike në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Spitalin Universitar të Tiranës. Ai është Doktor i Shkencave Mjekësore, Profesor i Mjekësisë dhe i nderuar me Çmimin Punëtor Shkencëtar i Dalluar i Shqipërisë.