NATO ka “rritur vigjilencën” në Baltik, pasi Kopenhageni raportoi për një inkursion me dronë në hapësirën ajrore të Danimarkës, tha një zëdhënës i aleancës ushtarake perëndimore. Masat e shtuara përfshijnë “disa platforma të inteligjencës, mbikëqyrjes dhe zbulimit dhe të paktën një fregatë kundërajrore” në rajonin në perëndim të Rusisë, tha zëdhënësi i NATO-s, Martin O’Donnell, gjatë një konference për shtyp. O’Donnell tha se lidershipi i NATO-s “ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me udhëheqësit danezë” lidhur me incidentet me dronë, që janë më të fundit në një seri shkeljesh të hapësirave ajrore të shteteve anëtare të aleancës.