Çmimet e naftës arritën përsëri në mbi 100 dollarë për fuçi, ndërsa tregjet e energjisë u rihapën në Azi të hënën, pasi bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit përfunduan pa një marrëveshje të re dhe Presidenti Donald Trump tha se do të bllokonte portet iraniane. Nafta e papërpunuar Brent u rrit me 7.3% duke shkuar në 102.30 dollarë, ndërsa Ëest Texas Intermediate u rrit me 8.7% duke arritur në 104.94 dollarë. Dështimi i negociatave në fundjavë ka ngritur shqetësime se kriza globale e energjisë do të thellohet. Çmimi i naftës ra shumë nën 100 dollarë të mërkurën e kaluar, pasi Uashingtoni dhe Teherani ranë dakord për një marrëveshje armëpushimi dyjavore me një ndër kushtet kryesore që ishte hapja e rrugës kryesore tregtare të Ngushticës së Hormuzit. Ngushtica, përmes së cilës kalojnë një e pesta e dërgesave të energjisë në botë, është bërë një pikë kyçe e luftës së Iranit, pasi Teherani u hakmor kundër sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit duke kërcënuar të sulmojë anijet që përpiqen ta përdorin atë. Dërgesat janë ndaluar thuajse plotësisht që nga fillimi i konfliktit më 28 shkurt, megjithëse disa vende si India dhe Malajzia kanë negociuar kalim të sigurt për anijet e tyre. Kjo ndërprerje ka çuar në rritjen e çmimeve të energjisë në të gjithë botën.