24 orët e fundit kanë qenë nën pushtetin e një moti me reshje të një intensiteti të lartë. Paralajmërimet dhe alarmi i dhënë nga instituti hidrometeorologjik kanë bërë që situata të mbahet nën kontroll, por nuk kanë munguar edhe evakuimet e banorëve në zonat që kanë rrezikshmëri të lartë dhe që janë përmbytur. Ndërkohë, forcat e ushtrisë që janë vënë në dispozicion të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile kanë arritur të shpëtojnë disa banorë që ishin në zona që cilësohen me kod të kuq, përsa i përket rrezikshmërisë.