Ishte parashikuar që të përmbyllej brenda dy orëve, por zgjedhja e drejtuesit të ri të SPAK-ut zgjati për më shumë se pesë orë dhe në fund të mbledhjes maratonë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Altin Dumani është emri që do të pasojë Arben Krajën nga e marta. Në votim morën pjesë 10 nga 11 anëtarët e KLP-së. Esmeralda Keshi nuk ishte pjesë e mbledhjes për shkak të konfliktit të interesit. Prokurori Dumani u votua nga gjysma e anëtarëve të pranishëm, duke marrë pesë vota. Katër vota shkuan për Edvin Kondillin dhe vetëm një për Adnan Xholin.