“Jemi të gatshëm të kontribuojmë në një mision ndërkombëtar stabilizues për Gazën, duke pasur parasysh edhe përvojën tonë si vend që ka përfituar nga prania ndërkombëtare që nga viti 1999”, kështu ka deklaruar kryeministri Albin Kurti gjatë mbledhjes së qeverisë këtë të hënë. Ai tha se Kosova është e hapur për të marrë pjesë në misione ndërkombëtare në Gaza, si pjesë e një force me karakter stabilizues dhe bashkëpunues ndërkombëtar. Kurti rikujtoi se në fund të janarit 2025, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 500 mijë euro ndihmë humanitare për popullin palestinez në Gaza, si një akt solidariteti dhe mbështetjeje humanitare. Sipas tij, aktualisht është në rend dite një propozim-vendim i përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes, përmes të cilit kërkohet nga Kuvendi i Republikës miratimi për dërgimin e pjesëtarëve të FSK-së në këtë mision.