Britania dhe Franca këtë javë do të organizojnë së bashku bisedime që synojnë rikthimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, duke përfshirë diskutime mbi atë që Presidenti Emmanuel Macron e përshkroi si një mision të mundshëm detar mbrojtës. Bisedimet kanë për qëllim të bashkojnë Britaninë, Francën dhe vende të tjera që janë të gatshme të bashkohen me një mision shumëkombësh paqësor që synon rivendosjen e lirisë së lundrimit në ngushticë. "Ky mision mbrojtës, i cili do të jetë i ndarë nga palët ndërluftuese, synon të vendoset sapo situata ta lejojë", tha Macron në një postim në X. Tensionet në Gjirin Persik janë intensifikuar pasi Shtetet e Bashkuara thanë se do të fillonin një bllokadë të trafikut detar që hyn dhe del nga portet iraniane, ndërsa Irani ka mbyllur në mënyrë efektive Ngushticën, një rrugë që transporton rreth një të pestën e konsumit botëror të naftës. Kryeministri britanik Keir Starmer tha se mbyllja e vazhdueshme e Ngushticës së Hormuzit po dëmtonte thellësisht transportin detar global dhe po shtonte presionet mbi koston e jetesës. "Këtë javë, Britania e Madhe dhe Franca do të organizojnë së bashku një samit për të çuar përpara punën mbi një plan të koordinuar, të pavarur dhe shumëkombësh për të mbrojtur transportin detar ndërkombëtar kur të përfundojë konflikti", shkroi Starmer në X. Britania ka bërë bashkë më herët përfaqësues të më shumë se 40 vendeve që ndajnë qëllimin e rivendosjes së lirisë së lundrimit. Shtetet e Bashkuara nuk janë të përfshira në këto bisedime.