Çdo ditë në galeritë e Bulqizës, nën tokë hyjnë me qindra banorë të Bulqizës, të cilët përballen me vështirësi në ambjentet e punës. Jo më larg se 5 ditë nga ngjarja tragjike, e cila përgjaku minierën e Bulqizës, me humbjen fatale të jetës së të riut, Elti Alla, minatorët janë ngritur në protestë Rrugët e Bulqizës janë mbushur me minatorë, të cilët kërkojnë drejtësi dhe kushte dinjitoze në ambjentet e punës. Krahas kushteve aspak të favorshme të punës, banorët e Bulqizës protestojnë pasi prej disa muajsh nuk kanë marrë pagën nga ana e firmave private të galerive. Minatorët kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestave dhe vijimin me grevë urie nëse kushtet e tyre nuk plotësohen. Bulqiza e ka të lidhur jetën me kromin, kjo pasi shumica e familjeve në këtë zonë kanë të paktën një pjesëtar punonjës të minierave. Plotësimi i kushteve dinjitoze te punës dhe të pagës, mbetet një kërkesë themelore për rikthimin e tyre në nëntokën e galerive.