Sezoni turistik i këtij viti ka sjellë 560 milionë euro shtesë në sektorin bankar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për periudhën mes fillimit të muajit qershor dhe fundit të muajit shtator, totali i depozitave bankare në euro ka shënuar një rritje të fortë. Rritja më e lartë ka ardhur gjatë muajit gusht, periudhë që zakonisht përfaqëson edhe pikun e sezonit veror. Në gusht, depozitat bankare u rritën me 257 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër e rritjes ishte e shpërndarë mes muajve të tjerë. Rritja e depozitave bankare dhe sidomos atyre në valutë në muajt e verës është një fenomen i lidhur kryesisht me prurjet nga turistët e huaj dhe pjesërisht nga emigrantët shqiptarë që kthehen në Shqipëri për pushime.