Një gomone që transportonte dhjetëra emigrantë për në Itali, u fundos në brigjet e Libisë dhe së paku 55 persona u mbytën, duke përfshirë gra dhe fëmijë. Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) njoftoi se katastrofa ka ndodhur të martën. Varka mbante së paku 60 migrantë dhe u nis nga qyteti bregdetar Garabouli, në lindje të kryeqytetit libian, Tripoli. Agjencia njoftoi se pesë migrantë i mbijetuan fundosjes së anijes dhe u sollën përsëri në breg nga rojet bregdetare libiane. Nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë ndodhi me varkën.