Për herë të parë pas shtatë vitesh qeveria federale amerikane ka hyrë në atë që njihet si mbyllja e madhe. Republikanët dhe demokratët në Senat nuk e gjetën gjuhën e përbashkët për të zgjatur afatin e financimit të agjencive dhe institucioneve federale dhe pas mesnatës ngrirja e fondeve hyri në fuqi. Mbyllja administrative përfshin pezullimin dhe ngadalësimin e një sërë shërbimesh publike, ndërsa miliona punonjës federalë përballen me pasiguri mbi të ardhmen e tyre të afërt. Senati rrëzoi fillimisht një propozim të paraqitur nga demokratët, e më pas refuzoi edhe projektligjin e përkohshëm të miratuar nga republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve, i cili parashikonte financimin e përkohshëm të administratës deri më 21 nëntor.