Rreth një javë pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja gjatë detyrës, brenda sallës së gjyqit në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka miratuar një plan masash të posaçëm për rritjen e sigurisë në Gjykata dhe forcimin e mbrojtjes së gjyqtarëve dhe stafit gjyqësor. KLGJ bën të ditur, se do të ndërmerren hapa konkretë në disa drejtime, duke nisur me analizimin e informacionit të mbledhur nga vetë gjykatat për periudhën 2023–2025, lidhur me administrimin dhe menaxhimin e sigurisë. Më tej, do të vlerësohet gjendja aktuale e pasijsve të sigurisë duke përfshirë detektorët e metaleve, skanerët, kamerat apo mjetet e tjera, me qëllim për të standardizuar procedurat dhe për të trajnuar personelin në menaxhimin e situatave të rrezikshme.