Kryeministri Edi Rama vendos një paralele mes akteve të revolucionit të flamingove në Tiranë dhe lëvizjeve ekstremiste në Europën e paraluftës. Për këtë i referohet momentit kur protestuesit hynë në fan zonën dedikuar për tifozët e kupës së botës. Rama: “Një grup vendos se ka të drejtë të frikësojë të tjerët për hir të atdheut. Britma zë vendin e argumentit. Lukunizmi zë vendin e dialogut. Intimidimi paraqitet si aktivizëm dhe linçimi publik i tradhëtarëve si drejtësi e Zotit në emër të popullit. Kështu vepruan lëvizjet ekstremiste në Europën e paraluftës dhe kështu bëjnë edhe sot kur e ku munden, duke e rritur eksponencialisht presionin mbi hapësirën demokratike falë rrugëve pa kontroll të internetit.” Rama shkon më tej duke nënvizuar se në këtë formë krijohet heshtja e njerëzve që nuk guxojnë të flasin kundër turmës pasi përballen me bullizëm online.