Amnesty International ka kritikuar ashpër marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për strehimin e emigrantëve, duke e cilësuar si një nismë të dëmshme dhe regresive që ngre shqetësime serioze për të drejtat e njeriut. Sipas raportit, Italia ka zgjeruar përdorimin e qendrave të ndalimit për emigrantët në Shqipëri, përfshirë edhe kampin në Gjadër të Lezhës, pavarësisht sfidave ligjore. Fillimisht, këto qendra ishin menduar për azilkërkues të ndaluar në ujërat ndërkombëtare dhe që vinin nga vende të konsideruara të sigurta, por më pas janë përdorur edhe për persona me urdhër dëbimi që ndodheshin tashmë në Itali.