Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka nxjerrë një manual të ri për përllogaritjen e vlerës së zhdoganimit për makinat e përdorura që importohen në vendin tone dhe disa kompani e qytetarë e vlerësojnë si rritje të tarifave. Manuali i ri ndryshon mënyrën e përcaktimit të vlerës së mjeteve të importuara në rastet kur autoritetet doganore nuk pranojnë çmimin e deklaruar nga importuesi. Formula e re në vetvete nuk ndryshon nivelin e tarifës, por ajo rrit bazën mbi të cilën përllogariten detyrimet doganore. Sipas praktikës së mëparshme të përshkruar në udhëzimin e Ministrisë së Financave, kur çmimi i deklaruar nga blerësi nuk pranohej, përdorej vlerësimi alternativ për automjetet nga vendet e Bashkimit Europian. Udhëzimi parashikonte që vlera e automjetit, duke u nisur nga marka, modeli dhe viti i prodhimit, të mos ishte më e ulët se 80 për qind e çmimit me të cilën e njëjta makinë shitej në BE.