Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e kësaj të marte në lagjen nr. 10 të Korçës, në zonën e njohur si “Dritat e Verdha”, ku një automjet ka përplasur një karrocë fëmijësh teksa po kalonte në vijat e bardha. Sipas informacioneve paraprake, nëna po kalonte rrugën me karrocën, ku ndodhej fëmija i saj rreth 1 vjeç e gjysmë, kur automjeti e goditi. Menjëherë pas aksidentit, drejtuesi i mjetit e ka transportuar të miturin në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Korçës, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Burime paraprake bëjnë me dije se fëmija ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia ka kryer veprimet procedurale ndaj drejtuesit të automjetit dhe ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.