Policia e Tiranës ka zbuluar në një magazine në kryeqytet mbi 10 mijë suplemente ushqimore e bimore të skaduara. Operacioni ‘Audienca’, u finalizua pas një hetimi me metoda proaktive, kryer nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës. Sipas Policisë, nga kontrolli i ushtruar në ambientet e subjektit, u gjetën dhe sekuestruan aty mbi 10 000 suplemente ushqimore dhe bimore të skaduara, pa pullën e Agjencisë së Barnave dhe pa atë të Ministrisë se Financave, si dhe pa etiketa në gjuhën shqipe. Autoritetet kanë shpallur në kërkim administratorin e magazinës, një 53-vjeçar nga Bosnja dhe Hercegovina, ndërsa janë proceduar penalisht dy punonjës që ndodheshin në magazinë në momentin e aksionit policor.