Palanca, një fshat në Moldavi, ndjeu tmerrin e plotë të luftës në Ukrainën fqinje një ditë dhjetori. Një nënë u vra dhe tre fëmijët e saj u plagosën nga një dron rus ndërsa kalonin urën kufitare përtej lumit Dniestër në këtë cep të qetë më parë të Moldavisë juglindore. "Ne jemi pikërisht përballë ukrainës dhe kjo na tmerroi," thotë një banore 62 vjeçare, për AFP-në. Si shumë të tjerë në Palanca, ajo është e shqetësuar se lufta mund të kalojë lehtësisht kufirin. Fshati kufitar është në rrugën strategjike që të çon në portin ukrainas të Odesës. Hapësira ajrore e Moldavisë është shkelur dhjetëra herë që nga fillimi i pushtimit katër vjet më parë, me disa raketa dhe dronë rusë që janë rrëzuar në territorin e saj; i fundit ishte një dron kamikaz Shahed i projektuar nga Irani, që mbante 50 kilogramë eksplozivë, i cili u rrëzua 12 kilometra në veriperëndim të Palancës javën e kaluar.