Katër të rinjtë e arrestuar nga policia në protestën e së hënës së Partisë Demokratike u liruan nga Gjykata e Tiranës, e cila vendosi hetimin e tyre pa asnjë masë shtrënguese. Në seancën për masën e sigurisë, e mbajtur këtë të mërkurë ishin të pranishëm edhe deputetë të Partisë Demokratike, që thanë se policia nuk ka asnjë provë që të faktojë se katër personat e arrestuar janë ata që hodhën molotovë në drejtim të Kryeministrisë. Në përfundim të seancës, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka bëri një deklaratë për mediat. Policia njoftoi një ditë pas protestës së opozitës arrestimin e katër protestuesve dhe procedimin në gjendje të lirë të shtatë të tjerëve si autorë të dyshuar të hedhjes së molotovit në përfundim të tubimit.