Zjarri në zonën e Bregasit dhe Shelegarit ka vijuar të jetë aktiv përgjatë gjithë ditës, ndërsa banorët u bashkuan me ekipet e emergjencës për të frenuar përhapjen e flakëve. Në kushte të një terreni të vështirë, banorët luftuan zjarrin me mjete rrethanore, duke ndihmuar zjarrfikësit në operacionin për shuarjen e flakëve. Gjatë ndërhyrjes është lënduar edhe një zjarrfikës, i cili rrëshqiti dhe ndrydhi këmbën, duke mbetur për disa çaste i rrezikuar nga afërsia e flakëve. Banorët e Bregasit i erdhën menjëherë në ndihmë, njoftuan ambulancën dhe e transportuan nga zona e zjarrit deri te mjeti i urgjencës. Në ndihmë të forcave në terren është angazhuar edhe një helikopter për të luftuar flakët nga ajri.