Pas dy javësh hyn në fuqi një ndryshim i rëndësishëm ligjor që lidhet me masat kundër dhunës në familje. Ky ligj parashikon se burrat që dhunojnë gratë do të dëbohen menjëherë nga banesa e tyre. Gjykata, si masë mbrojtëse të dhunës në familje, urdhëron menjëherë largimin e dhunuesit nga banesa për një afat kohor të caktuar, kur viktima dhe dhunuesi banojnë në të njëjtën strehë. Gjykata, kur është rasti, në vendosjen e kësaj mase merr në konsideratë nevojat e veçanta të dhunuesit të mitur, të moshuar ose personit me aftësi të kufizuar dhe në këto raste urdhri i largimit nga banesa vendoset vetëm kur asnjë masë tjetër nuk garanton mbrojtjen e viktimës nga dhuna. Sipas ligjit të mëparshëm, burrat qëndronin në banesë deri në vendimin e gjykatës, kohë në të cilën vijonte sërish dhuna. Ndryshimet ligjore parashikojnë që në urdhrin e mbrojtjes, të lëshuar me vendim gjykate, dhunuesi detyrohet të marrë pjesë në programe rehabilitimi psikosociale ose në programe të aftësimit prindëror, të organizuara nga subjekte publike ose private.