Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se qeveria ka nisur një takim të përbashkët dyditor të kabinetit qeveritar, me qëllim hartimin e programit të ri qeverisës për mandatin aktual. Kurti theksoi se në zgjedhjet e dhjetorit 2025 qytetarët i kanë dhënë qeverisë një besim të madh, të cilin, sipas tij, ekzekutivi synon ta shndërrojë në siguri dhe mirëqenie për vendin. Ai bëri të ditur se takimi i kabinetit do të shërbejë për të përkthyer zotimet e bëra gjatë fushatës zgjedhore dhe ekspozenë e prezantuar para deputetëve në një program të detajuar qeverisës. Sipas Kurtit, zotimet e dhëna do të shndërrohen në plane konkrete me projekte, objektiva dhe strategji, të cilat do të realizohen përmes punës së përditshme gjatë këtij mandati qeverisës. Kryeministri theksoi se angazhimi për të mirën e përgjithshme, interesin publik, zhvillimin ekonomik, barazinë, si dhe integritetin dhe dinjitetin shtetëror do të mbeten prioritetet kryesore të qeverisë së tij gjatë qeverisjes.