Pas 40 vjetësh konflikt me shtetin turk, grupi militant Partia Popullore e Kurdistanit, PKK, do të mbajë një ceremoni të premten për të shënuar hapin e parë drejt dorëzimit të armëve. Procesi i çarmatimit do të nisë nën masa të rrepta të sigurisë dhe pritet të zgjasë gjithë verën. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka përshëndetur këtë veprim duke e përshkruar si "shkatërrim total dhe hedhje tutje të prangave të përgjakshme që iu vunë vendit". Rreth 40.000 njerëz janë vrarë që nga fillimi i konfliktit, ndërsa PKK-ja konsiderohet grup terrorist në Turqi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian.