Presidenti Bajram Begaj do të duhet të caktojë brenda 10 janarit 2025 datën për zgjedhjet parlamentare. Kodi Zgjedhor parashikon që zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin mbahen brenda periudhës 15 prill deri në 15 maj, në një ditë të diel. Duke qenë se në javën e tretë të prillit janë pashkët katolike dhe ortodokse, zgjedhjet nuk mund të mbahen më 20 prill, prandaj të vetmet alternativa për datën e zgjedhjeve janë ato të 27 prillit, 4 majit dhe 11 majit. Në një nga këto tre ditë, shqiptarët brenda dhe jashtë vendit do i drejtohen kutive të votimit apo shërbimit postar për të ushtruar vullnetin e tyre të lirë në përcaktimin e drejtimit të vendit për katër vitet e ardhshme.