Nënshkrimi i memorandiumit të bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe pastrimit të parave, nënvizoi rastin e sekuestrimit të 400 kilogramë kokainë në Lipjan, pak ditë më parë. Firmëtarët e këtij memorandiumi kanë qenë kryeprokurori i Shtetit të Kosovës, Aleksandër Lumezi dhe Kreu i Prokurorisë së Posaçme të Republikës së Shqipërisë (SPAK), Arben Kraja. Mediat kosovare shkruajnë se kryeprokurori Lumezi ka folur edhe për 400 kilogramët e kokainës ku ka zbuluar se kokaina është duke u ruajtur në Policinë e Kosovës. Nisur nga fakti se çështja është ende në shqyrtim, Lumezi nuk ndau të dhëna të tjera lidhur me këtë çështje.