Dy astronautët e NASA-s që udhëtuan për në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës me mjetin e ri fluturues Crew Dragon të kompanisë Space X, u kthyen me sukses në Tokë, pas një qëndrimi prej dy muajsh në orbitë. Kapsula me astronautët Bob Behnken dhe Doug Hurley u ul me parashuta në Gjirin e Meksikës, duke i dhënë fund një udhëtimi që shënoi misionin e parë pas nëntë vitesh të NASA-s për dërgimin e astronautëve në stacionin orbital. Menjëherë pas uljes, Behnken dhe Hurley raportuan se ndiheshin mirë. Drejt kapsulës nxituan motoskafët për të marrë astronautët. Kapsula e misionit Endeavour u shkëput nga stacioni orbital të shtunën mbrëma për t’u ulur pranë brigjeve të Floridës të dielën pasdite.